Hetimet për zbardhjen e motivit të vrasjes së vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia kanë marrë një tjetër rrjedhë, pasi shkak mund të jetë bërë grabitja e parave në pistën e Rinasit, vitin e kaluar. Sipas hetuesve, nga provat e mbledhura deri tani, ka rezultuar se Besmir Haxhia ka patur njohje me një nga personat që ka realizuar grabitjen e parave në 9 Prill të vitit të kaluar.

Referuar dëshmisë së Allës, ai ka treguar se një nga vëllezërit Haxhia dhe pikërisht Besmiri ka ndihmuar dhe strehuar një nga autorët e grabitjes së parave. I riu Klevis Alla i akuzuar, si një nga autorët për ekzekutimin e dy vëllezërve Besmir dhe Klevis Haxhia dhe dy të rinjve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, ka rrëfyer gjithashtu se ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale së bashku me të dyshuarin tjetër, Altin Ndoci.

Para hetuesve të çështjes, ai ka pohuar se krimet që tronditën qytetin e Durrësit janë porositur kundrejt pagesës nga një grup kriminal. Gjatë dëshmisë, ai ka zbuluar edhe emrat e disa prej tyre, për të cilët policia ka nisur verifikimet. Ndryshe nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Altin Ndoci nuk e pranuar autorësinë e asnjërit prej krimeve. Madje ka pohuar se nuk ka njohje me personin tjetër të arrestuar, duke mohuar përfshirjen në vrasjen e vëllezërve Haxhia, apo edhe dy personave të tjerë.

Referuar deklaratave të Allës, policia në bashkëpunim me prokurorinë, krahas pistës se parë, atë të prishjes së pazareve të drogës, po hetojnë edhe mbi pretendimet e ngritura nga 22-vjeçari, i cili hetimet i çoi në një tjetër kthesë.

Tv Klan